Ibrahimi thotë se neglizhenca e ministrive lë komunat pa miliona euro nga BE-ja e Japonia

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Ambientit, qeveria japoneze nuk do ta mbështesë një projekt shumëvjeçar që lidhet me modernizimin e shërbimeve të mbeturinave dhe menaxhimit të tyre.

Ai theksoi se një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me Komisionin Evropian, ku Ministria e Pushtetit Lokal humbi 12 milionë euro të destinuara për komunat.

“Në bazë të informatave që posedojmë si Asociacion i Komunave të Kosovës, për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Ambientit, qeveria japoneze nuk do ta përkrahë një projekt, i cili është shumëvjeçar sa i përket modernizimit të shërbimeve të mbeturinave apo modernizimit të menaxhimit të mbeturinave. Deri më tani Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) është treguar një partner shumë serioz ndaj qeverisë së Kosovës, mirëpo kjo neglizhencë nga qeveria nuk është duke ndodhur vetëm ndaj JICA dhe kemi rastin e fundit edhe ndaj Komisionit Evropian, ku Ministria e Pushtetit Lokal humbi 12 milionë euro, të cilat ishin të dedikuara për komuna. Edhe në këtë rast menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e komunave. Ky përkeqësim do t’i shkojë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunave dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ibrahimi vuri në dukje se deri më tani JICA ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për komunat dhe ka dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e mbeturinave.

“Duhet marrë parasysh që JICA deri më tani i ka dhënë rreth 60 kamionë për grumbullimin e mbeturinave. Do të thotë ka qenë një investim i drejtpërdrejtë, mirëpo ka punuar së bashku edhe me komunat sa i përket ngritjes së kapaciteteve për menaxhimin e mbeturinave. Qëllimi i kësaj iniciative ka qenë sjellja e përvojës nga Japonia sa i përket modernizimit të shërbimeve të mbeturinave. Mirëpo, kjo përkrahje nuk është gjetur në Ministrinë e Ambientit dhe afati për aplikim në këtë projekt ka qenë në fillim të gushtit. Edhe pse gjithçka ka qenë gati nga ana e AKK-së ku ne kemi treguar gatishmëri të lartë në bashkëpunim me JICA, niveli qendror përkatësisht kjo ministri nuk ka treguar asnjë gatishmëri që të marrë fonde nga partnerët tanë strategjikë”, u shpreh ai.

Sipas tij, mungesa e përgjegjësisë së ministrive përkatëse po dëmton drejtpërdrejt interesat e komunave dhe qytetarëve.

“Paramendoni në një anë me Komisionin Evropian i humbi 12 milionë euro dhe nuk ka asnjë përgjegjësi, gjithashtu në anën tjetër edhe Ministria e Ambientit nuk tregon gatishmëri që të thithë fonde nga JICA në vlerë me miliona euro. Dhe në të dy rastet këto mjete financiare shkojnë në dobi të komunave dhe në dobi të qytetarëve të Kosovës”, tha Ibrahimi./eo