Disa raste të dhunës në familje nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ka të arrestuar
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar në Polici disa raste të dhunës në familje nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Në Prishtinë është raportuar një rast, ku një grua ka qenë viktimë e një sulmi fizik nga një burrë. Palët janë intervistuar në stacionin policor dhe me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar, ndërsa të dy janë liruar në procedurë të rregullt, njofton Policia e Kosovës.
Në Obiliq, sipas Policisë, janë raportuar dy raste të ndara të dhunës.
“Në njërin rast, një person ka sulmuar fizikisht dy viktima meshkuj, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas marrjes së trajtimit mjekësor, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në një rast tjetër të raportuar në këtë komunë, një grua ka raportuar dhunë fizike nga një burrë. Pas intervistimit të palëve dhe inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër të dhunës në familje të raportuar në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Vushtrri janë raportuar gjithashtu dy raste të dhunës.
“Në njërin rast, një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në një rast tjetër, një burrë ka sulmuar fizikisht dy persona, një grua dhe një burrë, të cilët janë viktima të rastit. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje
Policia e Kosovës thekson se vazhdon t’i trajtojë me prioritet rastet e dhunës në familje dhe inkurajon qytetarët të raportojnë çdo rast të dhunës, me qëllim të mbrojtjes së viktimave dhe ndëshkimit të kryerësve të veprave penale. /Zëri