U përurua murali për Vjosa Berishën, themeluesen e “PriFest”-it

Në njërën prej fasadave kryesore që shihet prej pikave të ndryshme, në udhëkryqin e rrugëve “Garibaldi” dhe “Johan V. Hahn” u përurua murali kushtuar Vjosa Berishës, themelueses së festivalit PriFest. Në mural janë paraqitur portreti i Vjosës dhe shenja identifikuese e PriFest-it. Murali u realizua nga artistja Ermira Murati, ndryshe si ‘ORANGE Girl’.

Në udhëkryqin tek ish-hoteli Grand në murin e ndërtesës përballë, u përurua murali kushtuar Vjosa Berishës. Të pranishëm, përveç përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës, si përkrahës të këtij projekti ishin edhe miq e familjarë të Vjosa Berishës.

“Vetëm dua ta falënderoj shumë artisten Ermirën për iniciativën, në emër të familjes ta falemnderoj shumë, për këtë vepër artistike, mural të mrekullueshëm në kujtim të Vjosës. Tani e kemi më afër festivalit, ku ajo e ka themelu dhe e ka udhëhequr”, tha Fatos Berisha, bashkëshorti i saj.

“Nuk jam e përgatitur për ndonjë fjalim, por çdo nënë mendon që fëmija i saj është më i miri në botë, por për Vjosën po e shoh që ende jeton. Më vjen keq, Vjosa ka qenë me të vërtetë energjike, e fjalës, e punës. Tani po e shoh që Vjosa ka qenë e paparë”, tha Hysnije Domi, e ëma.

“Kam emocione të përziera për momentin. Vetëm jam e lumtur që ka me qëndrua tash permanente simboli i saj edhe krejt angazhimi i saj dhe ka me kanë njëkohësisht inspirim tashmë i frekuentueshëm për krejt të rinjtë e të rejat që një grua si Vjosa me kanë një inspirim për ta për me vazhdua ma tutje për çdo rrugëtim që ata kanë me ndërmarrë”, tha Ermira Murati, piktore.

Ky përurim përkon edhe me fillimin e Festivalit të Filmit Prifest 2025 si themeluese e të cilit ishte vetë Vjosa, e që u hap para dy ditësh.