Ambasada gjermane: Deklaratat e Dodikut në Moskë janë të papranueshme dhe fyese
Ambasada gjermane në Sarajevë ka thënë të enjten se deklaratat e ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodiku, ditë më parë në Moskë lidhur me përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnjë, janë të papranueshme dhe fyese.
Dodiku e vizitoi Moskën të martën dhe u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ai ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij për mediat përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.
“Përfaqësuesit e lartë kanë shkarkuar mbi 900 përfaqësues të zgjedhur në Bosnjë, dy të tretat e të cilëve janë nga Republika Sërpska. Republika Sërpska i ka mbetur e përkushtuar ndaj ‘shkronjës’ së Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Perëndimi ka përdorur të ashtuquajturën frymë të marrëveshjes. Për vite me radhë kemi pasur një të huaj pa emër të quajtur Schmidt, përmes të cilit ata imponojnë vendime”, tha Dodiku.
Ambasada gjermane u bëri thirrje “të gjithëve” në Bosnjë të distancohen nga “kjo mënyrë e të shprehurit nga Dodiku dhe të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë të denjë”. /abcnews