Ambasadori francez: Dezinformimi po synon të krijojë kaos në rajon
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se situata me dezinformimin është shumë serioze, duke e cilësuar atë si një luftë informative, ku gënjeshtrat përdoren si armë.
Ai theksoi se qeveria franceze ka vendosur të reagojë, duke mbështetur mediat e lira dhe të pavarura, si dhe duke sensibilizuar opinionin publik.
Këto komente ai i bëri në aktivitetin “Balkan News Truck”.
“Ky është një aktivitet i rëndësishëm që ne po e organizojmë, në fakt Hibrid.info po e organizon me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, për dezinformimin, lajmet e rreme. Pra, çfarë është në rrezik? Në fakt situata është shumë serioze. Ne jemi në mes të një lufte informative ku asnjë gënjeshtër nuk është shumë e madhe, ku gjithçka lejohet. Dhe kjo luftë zhvillohet kryesisht nga Rusia, por jo vetëm nga Rusia. Ata po i shënjestrojnë civilët, ashtu si dronët rusë po i shënjestrojnë civilët në Ukrainë. Dhe ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të shesin gënjeshtrat e tyre. Dhe përsëri, gjithçka lejohet. Asnjë gënjeshtër nuk është shumë e madhe. Nuk është vetëm Rusia që po e bën këtë. Kështu që qeveria franceze ka vendosur të reagojë ndaj kësaj. Një nga reagimet është të mbështesë mediat, mediat e lira dhe të pavarura, si dhe të sensibilizojë opinionin publik për faktin se ata janë viktima të një fushate dezinformimi. Pra, aktiviteti i sotëm këtu është pjesë e kësaj, për t’iu afruar publikut dhe me ndihmën e aktorëve shumë kompetentë lokalë të përpiqemi t’u japim njerëzve mjetet dhe vetëdijen se ata janë viktima të një fushate dezinformimi. Ne gjithashtu kemi një sërë programesh për të mbështetur mediat e lira. Dhe këtu në Kosovë, po punojmë me Bridinfo, po punojmë me media të tjera që janë të pavarura, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën serbe. Ne gjithashtu kemi filluar të përgjigjemi dhe të zbulojmë gënjeshtrat”, tha ai. /eo