Papa Leoni XIV: Mos i harroni fëmijët e Ukrainës, të Gazës dhe të gjithë atyre që vuajnë nga lufta

Gjatë audiencës së përgjithshme të mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV kujtoi me dhimbje fëmijët e prekur nga konfliktet në Ukrainë, Gazë dhe në shumë rajone të tjera të botës.

Duke iu drejtuar posaçërisht pelegrinëve polakë, Papa vuri në dukje se në Poloni shënohet sot Dita Kombëtare e Fëmijëve Polakë viktima të luftës një ditë përkujtimore që nderon vuajtjet e tyre, por edhe rolin e tyre të rëndësishëm në rindërtimin e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

“Mos harroni në lutjet dhe projektet tuaja humanitare edhe fëmijët e Ukrainës, Gazës dhe të tjera rajoneve të botës të goditura nga lufta”, theksoi Papa gjatë fjalës së tij.

Pavarësisht kushteve të motit me shi, Papa u shfaq në fillim të audiencës përpara besimtarëve të shumtë që kishin mbushur sheshin. Në katekezën e tij, ai komentoi episodin nga Ungjilli ku Jezusi në kryq i drejtohet Atit me fjalët: “Zot im, Zot im, përse më ke braktisur?”.

“Kjo është një thirrje që lind nga besimi se dikush ende mund të dëgjojë”, shpjegoi ai, duke nënvizuar se çdo thirrje që i drejtohet Zotit nuk mbetet e harruar. Për Papën, kjo është një mënyrë për të mos rënë pre e cinizmit dhe për të ruajtur besimin se një botë më e mirë është e mundur.

Ai u bëri thirrje besimtarëve që, në momentet e sprovave, të kthejnë dëshpërimin në një lutje të sinqertë, sepse, siç tha, “Zoti gjithmonë dëgjon fëmijët e Tij dhe përgjigjet në kohën që Ai e sheh më të përshtatshme”.

Duke përshëndetur besimtarët francezë, Papa përmendi edhe kanonizimet e fundit, duke përmendur veçanërisht shenjtorët e rinj Pier Giorgio Frassati dhe Carlo Acutis.

“Në momentet e provës, siç na mësojnë edhe këta shenjtorë të rinj, mësojmë nga Krishti thirrjen e shpresës dhe nevojën për të hapur zemrat tona ndaj vullnetit të Atit, i cili dëshiron shpëtimin tonë”, përfundoi Papa Leoni XIV.