Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut, ambasadori i BE-së: Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ku pjesë e diskutimeve ishte edhe procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, delegacioni i BE-së bëri me dije se Bashkimi Evropian se do të ndjekë nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme dhe inkurajoi KLP-në për zhvillimin e një procedure transparente dhe mbi baza meritokratike.

“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE-së Gonzato u takua me znj. Mirela Bogdani, kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e kreut të ri të SPAK-ut. Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.

KLP-ja ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”, thuhet në njoftimin e KLP-së. /euronews