Kosi kritikon Vuçiqin që mori pjesë në paradat ushtarake në Moskë e Pekin

Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Evropian, ku edhe ka reaguar ndaj protestave që po zhvillohen tash e sa kohë në Serbi dhe për qasjen e regjimit të Aleksandar Vuçiqit ndaj tyre. Kos ka kritikuar edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për pjesëmarrjen në paradat ushtarake në Moskë e Pekin dhe kritikat e tij ndaj BE-së, duke thënë se një gjë të tillë s’e pret Brukseli nga një vend kandidat.

“Pjesëmarrja e presidentit Vuçiq në paradat ushtarake në Moskë dhe në Pekin, e shoqëruar me deklarata kritike ndaj BE-së dhe anëtarëve respektues të parlamentit (referencë për delegacionin e Partisë së Gjelbër) nuk është ajo që pritet nga një vend kandidat”, ka deklaruar Kosi në Parlament.

Ajo ka thënë se Serbia duhet të përqendrohet në reforma, veçanërisht ato që lidhen me lirinë e medias dhe ligjet për zgjedhjet.

“Një Serbi demokratike ka një vend në BE dhe unë do të bëj çmos që kjo të ndodhë”, ka shkruar Kosi.