Dronët rusë në Poloni, “test për mbrojtjen e NATO-s dhe mesazh për SHBA-në”

Aleksandr Morozov, analist i pavarur politik dhe bashkëpunëtor kërkimor në universitetin "Charles" në Pragë, tha se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë nuk është e rastësishme, por veprim i qëllimshëm nga Kremlini.

“Sipas meje, këto janë veprime të qëllimshme të Kremlinit – nga njëra anë, për të testuar sistemet e mbrojtjes ajrore të krahut lindor të NATO-s, dhe nga ana tjetër, për të dërguar një mesazh të qartë, para së gjithash për Shtetet e Bashkuara. Mesazhi është se Donald Trump nuk mund t’i largohet luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, nuk do të jetë në gjendje të distancohet thjesht”, tha Morozovi për Current Time.

Ai shtoi se reagimi i Kremlinit nuk synon vetëm SHBA-në, por edhe vendet evropiane.

“Kremlini po thotë: ju nuk mund të garantoni asgjë realisht. Përkundrazi, edhe ju vetë keni nevojë për garanci ndaj veprimeve tona. Sot nuk bëhet fjalë vetëm që vendet evropiane dhe NATO t’i japin garanci Ukrainës. Situata është ndryshe: Evropa, bashkë me Ukrainën, duhet të sigurojë garanci për veten. Ukraina nuk është më vetëm përfituese e garancive – ajo është pararojë e Evropës në vijën e frontit, dhe garancitë vlejnë për të gjithë”, tha Morozov.

Sipas tij, Polonia dhe Rumania janë objektivat kryesorë të Kremlinit në këtë fazë.

“Për Kremlinin, çështja kryesore lidhet me aeroportet dhe bazat polake pranë Ukrainës – pra, me qendrat logjistike të NATO-s. Prandaj besoj se objektivi i radhës për një test të tillë mund të jetë Rumania, më shumë sesa vendet baltike. Po, është e dhimbshme për Kremlinin që NATO po e rrit gradualisht praninë në Finlandë dhe vende baltike, edhe nëse në mënyrë modeste. Por, nga pikëpamja ushtarake, është e qartë se Polonia dhe Rumania janë sot fokusi kryesor i Kremlinit”, theksoi ai. /Rel