Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha në parlament se gjatë natës janë shënuar 19 hyrje të paautorizuara në hapësirën ajrore polake, pjesa më e madhe e dronëve duke ardhur nga Bjellorusia. Ai shtoi se është konfirmuar rrëzimi i tre dronëve, ndërsa një i katërt ka shumë gjasa të jetë goditur.

“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.

Neni 4 i Traktatit të NATO-s thotë se "Palët do të këshillohen bashkërisht kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e cilësdo prej Palëve". /Rel