Kryeziu: Kuvendi është konstituuar, zgjedhja e nënkryetarit nuk e bllokon

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës tashmë është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, pavarësisht se ende nuk është zgjedhur njëri nga nënkryetarët e tij.

“Unë e kam cekur dhe e përsëris se Kuvendi është i konstiuar në aspektin kushtetues, sepse Kushtetuta nuk përkufizon se Kuvendi konstituohet kur zgjidhen të gjithë nënkryetarët e Parlamentit, por konstituohet kur zgjidhet kryetari i Parlamentit. Prej momentit që është zgjedh kryetari, që është person me autoritet, kuptohet që vetëm ai është vendimmarrës, edhe kështu që Kuvendi është konstituuar. Duhet edhe një anëtar i nënkryetarëve të Parlamentit, i cili duhet të shkojë në procedura të rregullta, siç ka shkuar deri më tash,” ka thënë Kryeziu.

Ai shtoi se Kushtetuta ka epërsi ndaj çdo akti tjetër ligjor apo nënligjor.

“Nëse ndonjë akt ligjor ose nënligjor bie ndesh me Kushtetutën, atëherë respektohet ose shfrytëzohet Kushtetuta. Nuk duhet të shkelet Kushtetuta dhe nuk duhet të vonohet më tej,” ka theksuar Kryeziu./teve1