Autoritetet e Kosovës thonë se mbyllën një objekt që përdorej nga institucione të Serbisë
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka konfirmuar se ka mbyllur një objekt ku vepronte Gazeta Zyrtare e Serbisë dhe një librari, pasi tha se në të u gjetën "persona pa dokumentacion për përdorimin e hapësirës".
"Pas mosparaqitjes së certifikatave apo kontratave, objekti është mbyllur deri në prezantimin e dokumentacionit", u tha në njoftim.
Lidhur me këtë rast ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, duke theksuar se Policia e Kosovës “ka uzurpuar dhe mbyllur zyrat e Gazetës Zyrtare , duke penguar furnizimin normal të nxënësve dhe shkollave serbe me tekste shkollore dhe mjete mësimore”.
Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, me planprogram të Ministrisë së Arsimit të Qeverisë serbe.
Megjithatë, vitet e fundit ka pasur probleme me furnizimin e teksteve shkollore për shkollat që zhvillojnë në gjuhën serbe, sepse autoritetet e Kosovës nuk kanë lejuar importin e tyre, gjë që është thënë nga autoritetet serbe, por edhe nga organizatat joqeveritare.
Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA) në raportin e saj për vitin 2024 ka theksuar se “shkollat dhe prindërit i fusin në Kosovë vetë librat shkollorë dhe marrin përsipër rrezikun për këtë gjë”.
Megjithatë, nga Zyra për Kosovën pretendojnë se mbyllja e librarisë dhe Gazetës Zyrtare serbe përbën “një sulm të tërthortë ndaj fëmijëve, me qëllim që t’u hiqet mundësia më të vegjëlve serbë të arsimohen në gjuhën amtare dhe sipas programeve të Republikës së Serbisë”.
Kosova në fillim të vitit 2024 filloi të mbyllë institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, duke i cilësuar ato si institucione të paligjshme dhe paralele.
Që nga viti 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i tha një grupi mediash në gjuhën serbe më 4 shtator se të gjitha institucionet paralele serbe, përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.
Megjithatë, theksoi se mënyra se si do të bëhet ky integrim është thelbësore dhe, sipas saj, duhet të zhvillohet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.
“Ky nuk mund të jetë proces i njëanshëm. Është detyrë e komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës që të punojnë së bashku, për të siguruar, sidomos, që institucionet e ruajnë ose e përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”, tha Prattipati për KoSSev, Radio Kontakt Plus, Radio Mitrovica e Veriut, Radio Kim dhe Radio Gorazhdevac.Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në shtator të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se funksionimi i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe është specifik dhe se këto institucione do të trajtohen në mënyrë specifike - ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe.