Rritja e financimeve të padeklaruara nga korporatat ngre shqetësime për ndikimin te politikat e OBSH-së
Një raport i fundit ka zbuluar se Fondacioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka marrë gjithnjë e më shumë financime të padeklaruara nga kompani private që prej krijimit të tij në vitin 2020, duke ngritur shqetësime serioze mbi ndikimin potencial të korporatave në formësimin e politikave të këtij institucioni global të shëndetit publik.
Sipas të dhënave, deri në fund të vitit 2023, OBSH-ja kishte marrë rreth 83 milionë dollarë nga donatorë korporativë, ndërsa për afro 60% të kësaj shume nuk është bërë publik identiteti i dhuruesve. Në vitin 2023, rreth 80% e financimeve erdhën nga burime anonime, kundrejt vetëm 15% në vitin e parë të themelimit.
Ekspertët paralajmërojnë se transparenca e ulët rrezikon besueshmërinë e OBSH-së dhe hap dyshime për ndikim të tepruar të interesave private. Sipas raportit, shpesh donacionet janë përdorur për të financuar prioritetet e vetë kompanive dhe jo objektivat e OBSH-së.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë financimin dhe organizata ndodhet në vështirësi buxhetore, varësia nga donacionet korporative pritet të rritet edhe më tej. Mes donatorëve publikë janë kompani farmaceutike si Sanofi, Boehringer Ingelheim dhe Novo Nordisk, si dhe gjigantë të teknologjisë e kozmetikës si TikTok, Meta dhe Maybelline.
Kritikët theksojnë se edhe pse OBSH nuk pranon fonde nga industria e duhanit apo armëve, ajo mund të marrë financime nga kompani që lidhen me kriza shëndetësore, përfshirë industritë e ushqimeve të përpunuara, alkoolit apo kimikateve. Këto kompani, sipas tyre, përdorin donacionet për të pastruar imazhin dhe për të ndikuar kundër rregullimeve të reja shëndetësore.
“Shëndeti publik varet mbi të gjitha nga besimi i publikut. Nëse OBSH-ja dëshiron të jetë e besueshme, duhet të tregojë se nga vijnë këto para”, tha Gary Ruskin, drejtor i organizatës amerikane “US Right To Know”.