Foda: Kundër Suedisë do të luajmë më mirë se sa ndaj Zvicrës
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se skuadra që ai e drejton do të luajë kundër Suedisë më mirë se sa ndaj Zvicrës.
Kosova të hënën do të përballet me Suedinë në kualifikimet për Botërorin 2026. Deri te kjo ndeshje vjen pas një humbje prej 4-0 nga Zvicra.
Tekniku gjerman është shprehur i vetëdijshëm që kombëtarja skandinave është favorite, por ai ka thënë se e rëndësishme është që Kosova të luajë ndryshe nga ndeshja me Zvicrën.
“Ne kemi analizuar të gjitha gabimet në ndeshjen me Zvicrën. Ne jemi të vetëdijshëm që Zvicra është një kombëtare e fortë. Nuk kemi mundur ta zbatojmë lojën tonë në ndeshjen me Zvicrën, por në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë. Jam i bindur që kundër Suedisë do të luajmë shumë më mirë. Jemi në shtëpi dhe do të shohim t’i kënaqim shikuesit, sikurse në ndeshjet e kaluara që i kemi fituar. Ne e kemi analizuar ndeshjen e Suedisë, ka skuadër shumë të mirë me lojtarë shumë të mirë. Është e qartë që Suedia është favorite, por për mua është e rëndësishme që ne të bëjmë një tjetër ndeshje", ka thënë ai. "Ndaj Zvicrës në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë, dhe për ne është me rëndësi që të synojmë ta fitojmë këtë ndeshje”./rtk