Kërkohet shtyrja e afatit për miratim të buxheteve komunale, shkak i pengasave që shkaktohen nga fushata zgjedhore

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka nisur një kërkesë ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026, për shkak të pengesave që mund të shkaktohen nga fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ligji në Kosovë përcakton që komunat duhet ta miratojnë buxhetin deri më 30 shtator për vitin e ardhshëm fiskal, dhe atë më pas ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.

Nëse nuk e respektojnë këtë afat, komunat e humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, andaj Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.

Asociacioni ka kërkuar nga ministri në detyrë, Murati, që ta shtyjë afatin, me arsyetimin se shumica e anëtarëve të kuvendeve komunale janë të angazhuar në fushata zgjedhore dhe që është më funksionale nëse buxhetet miratohen pas konstituimit të kuvendeve të reja.

Mosmiratimi i buxhetit në kohë, krijon probleme për komunat. Komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut i kanë miratuar me vonesë buxhetet e tyre për vitin 2025 dhe për rrjedhojë kanë raportuar me raste probleme me financat.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.

Në zgjedhjet lokale për 38 komuna janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Prej 17 shtatorit do të nisë votimi me postë për mbi 260 mijë shtetasit kosovarë të regjistruar që jetojnë jashtë territorit të Kosovës.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës pati fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /REL