Trumpi kërcënon BE-në me tarifa pas gjobës ndaj Google

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Bashkimin Evropian me një hetim sipas Seksionit 301, i cili mund të çojë në vendosjen e tarifave më të larta ndaj BE-së, pas vendimit të Brukselit për të gjobitur Google me rreth 3 miliardë dollarësh për praktika anti-konkurruese në sektorin e reklamave.

Ky është vendimi i katërt i madh i BE-së ndaj Google gjatë dhjetë viteve të fundit në kuadër të luftës së saj me praktikat monopoliste të kompanive teknologjike.

Trump, në një postim në Truth Social, kritikoi gjobën dhe theksoi se Google ka paguar më parë 13 miliardë dollarë për pretendime të tjera, duke arritur një total prej 16.5 miliardë dollarësh.

Ai e konsideroi këtë çmenduri dhe i kërkoi Bashkimit Evropian të ndalojë menjëherë këtë trajtim ndaj kompanive amerikane.

“Duhet t’i kthejnë paratë! Nuk mund të lejojmë që kjo t’i ndodhë shpikjes brilante dhe të paprecedentë amerikane, dhe nëse ndodh, do të jem i detyruar të nis një procedurë sipas Seksionit 301 për të anuluar penalitetet e padrejta që po u ngarkohen këtyre kompanive amerikane që paguajnë taksa. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar ai mes tjerash.