Nepali drejt bllokimit të Facebook, X, YouTube dhe platformave të tjera të mediave sociale

Qeveria e Nepalit ka thënë se do të ndërpresë qasjen në platformat kryesore të mediave sociale, përfshirë Facebook dhe X, pasi ato nuk arritën të përmbushnin kërkesat e regjistrimit të autoriteteve.

Lëvizja, e njoftuar të enjten, është pjesë e asaj që qeveria e quan një përpjekje për të frenuar urrejtjen online, thashethemet dhe krimin kibernetik.

Kompanive iu dha një afat deri të mërkurën për t’u regjistruar në Ministrinë e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe për të siguruar një kontakt lokal, një përpunues ankesash dhe një person përgjegjës për vetërregullimin – ose do të përballen me mbyllje.

“Platformat e paregjistruara të mediave sociale do të çaktivizohen nga sot e tutje”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë Gajendra Kumar Thakur.

Ministri i Komunikimit dhe IT-së Prithvi Subba Gurung tha: “Ne u dhamë atyre kohë të mjaftueshme për t’u regjistruar dhe u kërkuam vazhdimisht që të përmbushnin kërkesën tonë, por ata e injoruan [këtë] dhe ne u desh të mbyllnim operacionet e tyre në Nepal”,

Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, Alphabet, kompania prindërore e YouTube, X, Reddit dhe LinkedIn u kërkuan të regjistroheshin deri në afatin e së mërkurës.

Kufizimet online vijnë pas një direktive të vitit 2023 që u kërkon platformave të mediave sociale – të cilat kanë miliona përdorues në Nepal me llogari për argëtim, lajme dhe biznes – të regjistrohen dhe të krijojnë një prani lokale.

Vetëm pesë, përfshirë TikTok dhe Viber, janë regjistruar zyrtarisht që atëherë, ndërsa dy të tjera janë në proces.