Policia e Kosovës paralajmëron për mashtrime përmes Viber-it dhe WhatsApp-it nga numra të Bosnjës dhe Malit të Zi

Policia e Kosovës ka njoftuar për shtim të ankesave të qytetarëve dhe bizneseve lidhur me rastet e mashtrimit që kryhen në emër të ndihmës financiare.

Sipas Policisë, persona të panjohur kontaktojnë qytetarët përmes aplikacioneve si Viber dhe WhatsApp, duke përdorur numra telefoni nga shtete fqinje si Bosnjë dhe Hercegovina ose Mali i Zi. Ata paraqiten sikur kërkojnë ndihmë financiare për persona të tretë dhe udhëzojnë dërgimin e mjeteve përmes Western Union, MoneyGram ose shërbimeve të ngjashme.

Më pas rezulton se mjetet nuk përdoren për ndihmë, por për përfitime personale të mashtruesve.

Policia u bën apel qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm ndaj kërkesave të tilla, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.