Sulmohet me thikë një mësuese në Essen të Gjermanisë, i dyshuar një 18-vjeçar nga Kosova

Një sulm me thikë ka ndodhur sot në një shkollë profesionale në qytetin Essen - Gjermani.

Sipas raportimeve nga Bild, një nxënës 18-vjeçar me origjinë nga Kosova ka plagosur rëndë një mësuese, duke e goditur me thikë në bark.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur Bildungspark në lagjen Nordviertel, transmeton Klankosova.tv.

Pas sulmit, autori është larguar menjëherë nga vendngjarja, por është ndjekur nga policia dhe, sipas burimeve të Bild-it, është qëlluar nga forcat e rendit gjatë ndalimit.

Mësuesja po trajtohet në spitalin universitar dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent.

Ende nuk dihet nëse ndodhet në rrezik për jetën.

Policia dhe shërbimet emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes me forca të shumta.