Informoi BIA-n serbe dhe rrezikoi sigurinë në Kosovë, aktakuzë ndaj zyrtares së OSBE-së
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një gruaje me inicialet J.Gj., nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “Spiunazhit”.
Sipas Prokurorisë, e dyshuara në cilësinë e zyrtares së Misionit të OSBE-së në Kosovë, me dashje ka kryer veprime që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë, raporton Zeri.info.
“E pandehura, e cila mbante pozitën ‘Zyrtare e Programit Kombëtar’ në Qendrën Rajonale të OSBE-së në regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s”, thuhet në njoftim.
Prokuroria vlerëson se këto veprime kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
“J.GJ. nga pozita e saj në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, po ashtu ka kontribuuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, thuhet ndër të tjera. /Zëri