Akanji flet për përballjen me Kosovën dhe zgjedhjen e Leon Avdullahut për ta lënë Zvicrën
Manuel Akanji ka folur në konferencën për shtyp për ndeshjen e Zvicrës ndaj Kosovës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, teksa ka dhënë edhe një koment për Leon Avdullahun.
Konferenca e dytë për shtyp e ekipit kombëtar të Zvicrës pati si akter yllin e ri të Interit, Akanji, i cili kur iu bashkua ekipit kombëtar helvetik të hënën, ishte zyrtarisht ende lojtar i Manchester Cityt.
Në konferencë, Akanji i pyet për dyshtetësinë që ai ka duke konfirmuar se nuk ka hezituar asnjëherë të zgjedh Zvicrën dhe me këtë rast është pyetur edhe rreth mesfushorit Leon Avdullahu, i cili zgjodhi ta përfaqësoj Kosovën.
“Avdullahu? Është vendimi i tij. Mendoj se kemi ekipin më të mirë këtu. Nëse ai dëshiron të luajë për Kosovën, duhet të luajë për të. Nuk mund të them shumë për këtë. Jam krenar dhe i lumtur që luaj për ekipin kombëtar”, ka thënë fillimisht Akanji.
“Kosova? Nuk patëm një fushatë të mirë në kualifikueset e Kampionatit Evropian. Pësuam dy gola barazimi në minutën e fundit. Këtë të premte, patjetër që do të synojmë ta fitojmë ndeshjen dhe besojmë se mundemi”.
“Por nuk është një kundërshtar i lehtë; janë shumë të fortë dhe luajnë në mënyrë agresive. Por duhet të jemi gati. E dimë që gjithçka fillon të premten”, përfundoi mbrojtësi zviceran.