KOMF: Mbi 35 mijë përdorues droge në Kosovë, mosha e fillimit ka rënë në 16 vjeç

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit, “Trust Circle Foundation” dhe organizata “Labyrinth”, kanë lansuar fushatën “Një komunitet pa varësi”, që synon vetëdijesimin për rrezikun e përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë. Me këtë rast, është vendosur edhe një instalacion ilustrues si mesazh ndërgjegjësues dhe thirrje për parandalim.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se gjendja në vend është shqetësuese dhe se mosha e përdorimit të drogës ka rënë dukshëm.

Ajo tha se janë mbi 35 mijë përdorues droge në Kosovë dhe se mosha e fillimit të përdorimit të drogës ka rënë në 16 vjeç.

“Jemi këtu që në shenjë simbolike për të adresuar mesazhin tonë për nevojën e madhe për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i drogave. Situata në Kosovë nuk është e mirë sa i përket përdorimit të drogave. Kjo fushatë po lansohet me 1 shtator që është edhe dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor, dhe nuk është rastësi. Tashmë numri i përdoruesve ka kaluar shifrën prej 35 mijë në Kosovë, përderisa fëmijët dhe adoleshentët çdo ditë e më shumë vazhdojnë që të bëhen pjesë më e madhe e këtij numri. Shqetësuese është ulja e moshës së përdorimit të substancave narkotike, përderisa në vitin 2018 mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka qenë 18 vjet, tani kjo moshë ka rënë në 16 vjeç, kjo është situatë shqetësuese dhe kritike dhe kërkon mobilizimin dhe ndërmarrjen e veprimeve nga të gjithë”, tha ajo.

Edhe Krenar Batusha, nga fondacioni “Rrethi i Besimit”, tha se pasojat e varësisë janë të mëdha dhe shpesh mbesin tabu.

“Përjetimet që i kanë fëmijët dhe familjet nga varësia dhe nga problemet me droga janë shumë të mëdha në vendin tonë. Por janë edhe temë tabu që nuk flitet shumë e me këtë kampanjë synojmë që kjo temë të flitet sa më shumë, por që edhe të edukohen si fëmijët, si familjet se qysh me parandaluar varësinë”, tha ai.

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Tahiri, tha se fushata është një hap i rëndësishëm për parandalimin e drogës te të rinjtë.

“Ky lansim i kësaj fushate tregon edhe një herë vendosmërinë tonë si shoqëri për të qenë pranë personave të cilët kanë qenë përdorues të drogës edhe në anën tjetër për të përçuar mesazhin shumë të rëndësishëm që është që fëmijët tanë, të rinjtë tanë, të jenë sa më larg drogës, sa më larg përdorimit të tyre. Për shkak që kjo është ajo që sjell një të keqe të madhe në familje dhe në shoqëritë tona”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, theksoi se është i bindur që institucionet duhet të veprojnë më shumë.

“Sot jam i lumtur edhe kam arsye për këtë sepse kur takohen njerëzit e vullnetit të mirë, e kemi kuptuar që mundemi me kry punë të mëdha. Besoj shumë që institucionet tona do të reagojnë edhe do të nxiten që të vazhdohet me një program shumë më të gjerë për parandalimin, natyrisht dy muajt e ardhshëm do të kemi këtë konceptin e parandalimit, por në ‘Labyrinth’ nuk do të rreshtim së kërkuari për programe shumë më specifike, parandaluese për të rinjtë. Posaçërisht ato në shkolla”, tha ai.