“Siparantum” përfaqëson Kosovën në Festivalin e Koreve në Tajlandë
Kori “Siparantum” do të përfaqësojë Kosovën në “Thailand International Choral Festival”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës korale botërore, që mbahet në Bangkok, nga datat 31 gusht – 5 shtator 2025.
Këtë vit kori do të paraqitet në garë me një repertor shumë kërkues, i cili pasqyron cilësinë vokale, përkushtimin artistik dhe prezencën skenike të korit, ndërsa sot me 1 shtator, drejtuesi dhe dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, do të drejtojë një punëtori atje.
Edicioni i dytë, do të bëjë bashkë dirigjentë, vokalistë e profesionistë muzikorë nga mbarë bota. Punëtori e masterklasa, koncerte garuese dhe jogaruese janë ngjarjet që janë të radhitura në programin e festivalit. Të gjitha kategoritë garuese të koreve janë të ndara në dy grupe dhe secili kor duhet të këndojë nga dy këngë, në maksimum dhjetë minuta. Fituesit do t’i jepet një trofe që quhet “Grand Prize”, si dhe një certifikatë arritjeje.
Tajlanda është shteti i 19-të ku “Siparantum” ka performuar, ndërkohë që sipas Interkultur, renditet në mesin e Top 20 ansambleve vokale më të mira në botë, me 19 çmime ndërkombëtare të fituara deri më sot.