A mund të konsumojmë kos pas skadimit dhe çfarë ndodh nëse është i prishur?

Kosi mund të jetë i sigurt edhe pas datës së skadimit, por vetëm nëse di të dallosh shenjat që tregojnë prishjen.

Edhe pse ndoshta nuk hyn në të njëjtën kategori si buka, qumështi apo vezët, kosi pa dyshim zë vend ndër ushqimet bazë. Ai është jashtëzakonisht praktik dhe i gjithanshëm, mund të përdoret në smoothie, si përbërës në brumëra apo salca, ose thjesht të konsumohet më vete. Përveç kësaj, kosi është mjaft i vlefshëm edhe nga aspekti ushqyes.

“Kosi është një burim i mirë kalciumi për kocka të forta, por gjithashtu është i dobishëm për shëndetin e zorrëve falë baktereve të mira që përmban“, thotë dietologia Keri Gans. Ai mund të jetë gjithashtu një burim proteinash. Megjithatë, shpesh ndodh të harrohet diku në frigorifer dhe, kur ta shihni sërish, të vini re se i ka skaduar afati.

Kjo natyrshëm ngre disa pyetje: A është e sigurt të pihet kosi pas datës së skadimit dhe cili është rreziku më i madh në atë rast?

Në thelb, herën tjetër kur të gjeni një kos me datë të kaluar, mos nxitoni ta hidhni, sepse shënimi “të konsumohet deri më” nuk do të thotë domosdoshmërisht se produkti është i prishur, por se është më mirë të konsumohet deri në atë datë.

„Shumëçka ka të bëjë me cilësinë, jo me sigurinë“, thekson Dr. Benjamin Chapman, profesor në Universitetin e Karolinës së Veriut. Me fjalë të tjera, data e shtypur tregon periudhën kur prodhuesi garanton cilësinë më të lartë të produktit. Pra, kosin mund ta konsumoni edhe pas skadimit. „Pas afatit, ai thjesht bëhet më i thartë për shkak të fermentimit“, shpjegon Chapman. „Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është i sigurt një kos që ka muaj të tërë në frigorifer. Në përgjithësi, një kos i pa hapur mund të konsumohet rreth një muaj pas skadimit".

Nëse hapni kosin dhe e lini në frigorifer, ai zgjat maksimumi një javë, veçanërisht nëse fusni lugën në gojë e më pas sërish në kos, pasi kështu kalojnë më shumë mikroorganizma nga goja në produkt, transmeton Telegrafi.

Si ta kuptoni nëse kosi është ende i mirë?

Është e thjeshtë, thotë Chapman: nuhateni kosin – nëse ka erë të keqe, hidheni. Nëse nuhat mirë, por shija është e keqe, po ashtu hidheni. Vetëm nëse edhe era edhe shija janë të këndshme, mund ta konsumoni.

Çfarë ndodh nëse pini kos të prishur?

„Nëse konsumoni kos të mbyllur, ai zakonisht shkakton shqetësime të lehta në zorrë, por kjo ndodh rrallë, pasi shija e prishur zbulohet lehtë. Nëse konsumoni kos të prishur që ka qëndruar i hapur në frigorifer, gjë që po ashtu është e vështirë të ndodhë për shkak të shijes dhe erës së pakëndshme, mund të përjetoni diarre, dhimbje barku dhe të vjella“, shpjegon Gans.

Si ta ruani siç duhet kosin?

Sapo ta blini, vendoseni menjëherë në frigorifer. Mundohuni që një kos të hapur të mos e mbani më shumë se disa ditë. Nëse mendoni se keni blerë më shumë se sa mund të konsumoni brenda një kohe të arsyeshme, ngrijeni. Sipas Gans, kosi mund të ruhet në ngrirje një ose dy muaj pa ndryshuar shijen pas shkrirjes.