I kapen 38 qese kokainë një personi në Prishtinë

Njësitet policore në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, përkatësisht Njësiti për Reagim të Shpejtë gjatë kontrolleve të rregullta ka ndalur një drejtues të një veture në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë.

Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se, gjatë kontrollit janë gjetur 38 qese substanca që dyshohet të jenë lëndë narkotike të llojit kokainë.

“I dyshuari menjëherë është proceduar më tej dhe ndaj tij janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore. Ky veprim është pjesë e angazhimit tonë të përhershëm për luftimin e shpërndarjes dhe posedimit të substancave të paligjshme, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe u bën thirrje që çdo aktivitet të dyshimtë ta raportojnë në numrat kontaktues 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.