Dioqeza Prizren - Prishtinë nderon “nënën e UÇK-së” Stane Gashin në kuadër të Ditëve të Nënë Terezës
Dioqeza Prizren - Prishtinë ka nderuar me mirënjohje Stane Gashin, e njohur ndryshe edhe si “nëna e UÇK-së”, për kontributin dhe sakrificat e saj gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Ajo u vlerësua në një mbrëmje solemne kulturore të mbajtur në Prishtinë, e organizuar me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gur themelit të katedrales “Shën Nënë Tereza”.
Familja Gashi nga fshati Brus i Lipjanit, e udhëhequr nga Ndue dhe Stane Gashi, ka lënë gjurmë të rëndësishme gjatë viteve 1998-1999.
Tre prej djemve të tyre u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shtëpia e tyre u kthye në një bazë të rëndësishme ku u strehuan dhe u përkrahën qindra ushtarë të UÇK-së, duke ofruar ushqim, pajisje dhe siguri.
Aktiviteti artistik, i mbajtur në katedralen “Shën Nënë Tereza”, shënoi gjithashtu hapjen zyrtare të edicionit 2025 të Ditëve të Nënë Terezës në Kosovë. /Eo