Biblioteka Kombëtare në Shqipëri hap ekspozitën në nderim të Nënë Terezës
Në nder të 115-vjetorit të lindjes së shenjtores Nënë Tereza, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli ekspozitën filatelike dhe biografiko-historike mbi jetën dhe kontributin e saj humanitar.
Ekspozita përmban koleksionin e pullave postare dhe librat biografikë e historikë kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës.
Studiuesi Anton Nik Berisha e vlerësoi lart kontributin e shenjtores, si dhe i ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare kolanën e veprave të zgjedhura për Nënë Terezën.
“Ajo hapi dy shtëpi në Kalkutë, një shtëpi për pleqtë dhe një shtëpi për fëmijët që gjente rrugës. Papa Pali VI bëri një vizitë dhe kur u fut aty, pa copa njerëzish. Nuk pa njerëz të plotë, por copa njerëzish pa në ato dy shtëpi. ‘Këtu,’ tha, ‘qenka Krishti gjallë’,” u shpreh z. Berisha.
Nëna Terezë u lind më 26 gusht 1910 në Shkup.
Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4.500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. /rtsh