Njësia Speciale në afërsi të urës së re mbi Ibër, Elshani: Do të jemi aty derisa të hapet, më 1 shtator

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është parë sot afër njërës prej urave që po ndërtohet mbi Ibër, teksa po asfaltohej. Kjo urë po planifikohet të lëshohet për automjete në fillim të shtatorit 2025.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të vendit, ka thënë se prania e policisë aty ka qenë ngritje e vigjilencës, pasi ndërtimi i urës është një punë e madhe, duke shtuar se këto janë procedura normale policore.

Ai ka shtuar se këto masa nuk janë marrë për shkak të ndonjë paralajmërimi, por janë thjesht preventive.

“Deri më 1 shtator, kur është thënë se do të bëhet promovimi, hapja e urës, ne do të jemi aty dhe mandej e shohim se si vazhdohet tutje”, ka deklaruar Elshani.

“Janë vetëm masa parandaluese, nuk ka diçka tjetër. Por në veri të vendit jemi mësuar me këto gjëra që për dikë duken të jashtëzakonshme, për ne janë të zakonshme – të na gjuajnë ndonjë bombë apo eksploziv. Prandaj marrim masa parandaluese vetëm që të mos na zënë në befasi”, është shprehur ai në RTV Dukagjini.

Ndryshe, ky projekti është vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.

Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë informacione të tjera.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës në faqen zyrtare të prokurimit publik, kostoja e këtij projekti është gati tre milionë euro.

Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ku është negociuar me pesë kompani.

Oferta më e ulët ka qenë 2 milionë e 890 mijë e 106 euro, teksa më e larta tre milionë e 420 mijë e 764 euro.

Pas negocimit, me kontratë është shpërblyer kompania “Eurokos Holding” SHPK, që ka ofertuar me çmim në vlerë dy milionë e 999 mijë e 628 euro, që ka qenë e dyta në renditje nga çmimi më i ulët.

Kompania me çmimin më të ulët është eliminuar për mospërmbushje të kritereve.

Kohëzgjatja e kontratës është për 4 muaj.