LVV-ja e konfirmon se i arrestuari për drogë në Gjilan ishte kandidat i kësaj partie për asambleist
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Artanës, Abdyl Gashi ka konfirmuar se Rinas Zeqiri i cili u arrestua nga Policia e Kosovës, ka qenë kandidat për Asamble komunale nga kjo parti.
Sipas tij, Zeqiri i ishte bashkuar LVV-së një muaj më parë dhe se nuk ka qenë më parë i anëtarësuar, raporton Zeri.info.
“Rinasi i është bashkuar listës sonë vetëm para rreth një muaji, me iniciativë personale dhe dëshirë për të kontribuar. Ai nuk ka qenë më parë aktivist apo anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. E kemi njohur së fundi dhe kemi besuar se si i ri, me gatishmëri për të punuar, mund të jepte një kontribut në Asamble. Për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë tona”, shkroi Gashi në Facebook.
Po ashtu, Gashi u shpreh se mirëpresin veprimin e Policisë në këtë rast.
“Megjithatë, ne mirëpresim veprimin e Policisë së Kosovës dhe besojmë se drejtësia do të veprojë. Për këtë akt, kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe të qartë nga çdo veprim i kundërligjshëm”, thuhet ndër tjera. /Zëri