Zyrtare: Arsenali kompleton transferimin e Eberechi Eze

Arsenal ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e Eberechi Eze nga Crystal Palace, në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 67.5 milionë euro. 

Marrëveshja përfshin 60 milionë euro të garantuara, plus 7.5 milionë euro në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet dhe arritjet personale. 

Eze ka arritur marrëveshjen për kushtet personale dhe ka përfunduar kontrollet mjekësore të premten.  

Regjistrimi nuk u finalizua në kohë për ta lejuar të debutojë kundër Leeds United, me debutimin e tij që tani pritet të ndodhë në ndeshjen ndaj Liverpoolit më 31 gusht. 

 Megjithatë, ai u prezantua para tifozëve në stadium përpara fillimit të ndeshjes. 

“Jemi shumë të kënaqur që kemi finalizuar këtë marrëveshje për ta sjellë Eberechin te Arsenal”. 

“Ai është një lojtar krijues dhe eksploziv, me cilësi të jashtëzakonshme teknike, një lojtar për ndeshje të mëdha, ndërsa përvoja e tij me përfaqësuesen e Anglisë është një tjetër dëshmi e cilësisë dhe karakterit të tij”, ka thënë drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta. 

“Jemi absolutisht të entuziazmuar që kemi sjellë Eberechin te Arsenal. Ai është një lojtar i fuqishëm dhe emocionues, që do t’i japë një dimension të ri lojës sonë në sulm”. 

 “Ajo që bie në sy po aq sa talenti dhe inteligjenca e tij në fushë, është përkushtimi dhe puna e palodhur që ka treguar gjatë gjithë karrierës për të arritur aty ku është sot”, ka thënë Arteta.