OSBE-ja kundër përjashtimit të Listës Serbe: Rrezikohet pluralizmi dhe përfaqësimi i barabartë
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka deklaruar se e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një gurthemel i qeverisjes demokratike dhe një element thelbësor i jetës politike gjithëpërfshirëse.
Ky reagim vjen pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili në mbledhjen e sotme votoi që Lista Serbe dhe kandidatët e saj të mos certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një reagim në Facebook, OSBE thekson se KQZ-ja ka luajtur një rol kyç në avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë për shumë vite.
“Përjashtimi i aktorëve politikë minon pluralizmin demokratik, dobëson besimin në institucione dhe zvogëlon mundësitë që të gjitha komunitetet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë”, thuhet në deklaratën e misionit.
Ndër të tjera, OSBE nënvizon se pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin demokratik afatgjatë.
“Misioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën, përfshirë edhe procedurat pasuese ligjore që mund të zhvillohen përmes Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP), në përgjigje të vendimit për të mos certifikuar Listën Serbe”, përfundon reagimi i OSBE-së.