Super Shkëndija, triumfon me përmbysje ndaj Ludogoretsit
Me një rikthim spektakolar në Shkup, falë supergolit të Liridon Latifit dhe goditjes vendimtare të kapitenit Besart Ibraimi, Shkëndija mposhti kampionët bullgarë të Ludogoretsit me rezultatin 2-1 dhe tani ëndërron grupet e Ligës së Evropës, duke pasur edhe siguri për pjesëmarrje në Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.
Shkëndija e Tetovës ka regjistruar një fitore historike në përballjen e parë të Play Off-it të Ligës së Evropës, duke e mposhtur favoritin në letër, Ludogoretsin e Bullgarisë, me rezultat 2-1 në stadiumin e Arena “Todor Proeski” në Shkup.
Edhe pse ndeshja nisi me gol të shpejtë për miqtë, të cilët kaluan në epërsi me anë të Deroy Duarte në minutën e 17-të, djemtë e trajnerit Jeton Beqiri nuk u dorëzuan.
Vetëm pas pak minutash, në skenë doli Liridon Latifi, i cili në minutën e 35-të shënoi një supergol nga goditja e lirë, nga distancë mbi 25 metra – një realizim që do ta kishin lakmi edhe yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-1, ndërsa në fraksionin e dytë, në minutën e 60-të, atmosfera shpërtheu kur kapiteni Besart Ibraimi, golashënuesi më i madh në historinë e futbollit vendor, pas një asistimi të Latifit, realizoi për 2-1, duke sjellë gëzim të madh tek tifozët kuqezinj.
Deri në fund, Shkëndija mbrojti me vendosmëri avantazhin, ndërsa portieri Gaje me pritjet e tij ruajti fitoren. Tetovarët kishin edhe disa raste të tjera për të thelluar rezultatin, por gjithsesi triumfi 2-1 lë gjithçka të hapur para ndeshjes së kthimit javën e ardhshme në Razgrad.
Ky sukses i madh jo vetëm që e afron Shkëndijën drejt fazës së grupeve të Ligës së Evropës, që do të ishte një arritje historike për futbollin e Maqedonisë së Veriut, por i garanton klubit tetovar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, pavarësisht rezultatit të kthimit.