Zjarret në BE thyejnë rekordin, miliona hektarë të djegur në 2025
Zjaret kanë djegur deri tani më shumë se një milion hektarë tokë në vendet e Bashkimin Evropiat gjatë vitit 2025, një rekord që prej fillimit të mbajtjes së statistikave në vitin 2006, sipas të dhënave zyrtare.
Duke kapërcyer rekordin vjetor prej 988 524 hektarësh të djegur në vitin 2017, shifra arriti në 1 015 731 hektarë deri sot në mesditë, një sipërfaqe më e madhe se Qiproja.
Kjo përllogaritje bazohet në të dhëna të mbledhura nga vlerësimet e vendeve anëtare të sistemit evropian të informacionit për zjarret pyjore (EFFIS), ndërkohë që Spanja dhe Portugalia vazhdojnë të luftojnë me flakët.
Katër vende të BE-së, Spanja, Qiproja, Gjermania dhe Sllovakia, tashmë kanë përjetuar vitin e tyre më të keq që nga fillimi i statistikave.
Spanja, e goditur më rëndë, me mbi 400 000 hektarë të djegur, përbën gati 40% të totalit të BE-së. Në perëndim të vendit po vazhdojnë disa zjarre që kanë marrë jetën e katër personave.
Portugalia, e cila mban rekordin e BE-së me 563 530 hektarë të djegur në vitin 2017, renditet e dyta më e prekur këtë vit. Deri më 21 gusht 2025, vendi ka humbur gati 274 000 hektarë, sipërfaqe që nuk është regjistruar kurrë kaq herët gjatë vitit.
Rumania ndjek me 126 000 hektarë të djegur, ndërsa në Francë janë reduktuar në hi 35 600 hektarë pyje, kryesisht në rajonin jugor të Aude, i goditur nga një zjarr masiv në fillim të gushtit.
Të dhënat e EFFIS, pjesë e monitoruesit klimatik evropian Copernicus, llogarisin vetëm zjarret që kanë shkrumbuar të paktën 30 hektarë.
Jashtë BE-së, Britania gjithashtu po përjeton një vit rekord, pas zjarreve të prillit gjatë një vale të hershme të të nxehtit, si dhe në veri të Skocisë në fund të qershorit. Në Ballkan, Serbia po regjistron gjithashtu vitin e saj më të keq që kur mbahen të dhëna.
Deri më 19 gusht, zjarret pyjore në 22 nga 27 vendet e BE-së kishin lëshuar 35 megaton CO2 që nga janari , një nivel i paparë në këtë periudhë të vitit, sipas EFFIS , duke treguar se rekordi i vitit 2017 prej 41 megatonësh mund të kalohet.
Gjatë vitit rekord 2017, zjarret kishin marrë jetën e mbi 200 personave në BE, veçanërisht në Portugali, Itali, Spanjë dhe Francë.