Drita, Shkëndija e Dinamo në kërkim të arritjes historike

Tri skuadra shqiptare, Drita, Shkëndija dhe Dinamo City, do të zbresin sonte në fushë për ndeshjet e para të ‘play-off’-it në garat evropiane, me synimin për të shkruar historinë e tyre.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra gjilanase e drejtuar nga Zekirija Ramadani do të përballet me Differdange 03 nga Luksemburgu, me fillim nga ora 20:00. Drita e njeh mirë këtë kundërshtar, pasi e kishte eliminuar në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve këtë verë. Megjithatë, skuadra gjilanase po kërkon rikthimin e formës pas një serie rezultatesh jo të mira në garat evropiane dhe në nismë të kampionatit, ku pësoi humbje ndaj Ferizajt fundjavën e kaluar.

Ndërkohë, Dinamo City e Tiranës, që nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja eliminoi gjigantin kroat Hajduk Split, sonte nga ora 20:15 do të jetë mysafire në Poloni, ku do të përballet me Jagiellonian, në kuadër të ‘play-off’-it të Ligës së Konferencës.

Maksimalisht e motivuar është edhe Shkëndija e Tetovës, e cila synon të kalojë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Skuadra tetovare sonte në ora 20:00 do të përballet në Shkup me kampionen bullgare, Ludogorets Razgrad.