“Nuk pendohem për asgjë”, thotë një militant i ISIS-it në radhë për ekzekutim
Një 24-vjeçar ndodhet në radhë për ekzekutim në Somali, duke pritur të pushkatohet, pasi është akuzuar se ka qenë komandant i ISIS-it, si dhe snajper dhe anëtar i një skuadre prej dy vetash që vendoste bomba.
Sky Neës ka intervistuar militantin dhe një tjetër rekrut të ISIS-it, në një vend të sigurt në Puntland – rajoni gjysmë-autonom në veri të Somalisë, ku kjo organizatë terroriste ka pushtuar territore dhe sunduar mbi komunitete të tmerruara.
Ai këmbëngul se nuk ka qenë pjesëmarrës aktiv në skuadrën me dy veta që vendoste bomba – dhe duket plotësisht i pashqetësuar nga situata në të cilën ndodhet tani.
"Unë nuk e shtypa butonin, vetëm shikoja. Tjetri e bëri bombën dhe e shpërtheu. Unë nuk kam ardhur këtu për të vrarë myslimanë”, thotë 24-vjeçari për skyneës, transmeton Zeri.info.
Partneri i tij hodhi veten në erë ndërsa po vendoste bombën në qendrën e qytetit Bosaso, pasi kuptoi se ishte zbuluar.
Oficerët besojnë se ai e shpërtheu bombën para kohe.
"Nuk pendohem për asgjë," thotë ai, duke buzëqeshur. "Edhe sikur të më nxirrni tani nga kjo dhomë dhe të më ekzekutoni, nuk pendohem për asgjë”, përsëri, një tjetër buzëqeshje.
"Nëse më qëllojnë ose më varen, nuk më intereson. Në fund, nuk më bëhet vonë."
Në mënyrë domethënëse, ai thotë se familja e tij nuk e pëlqen ISIS-in. "Po të më gjenin këtu, do të shqetësoheshin," thotë ai.
Pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme, ai nuk lëviz nga qëndrimi i tij. "Nuk po mendoj," këmbëngul ai. "Asgjë s’ka. Thjesht po pres vdekjen.". /Zëri