A tregon përçarje brenda grupit mosvotimi i Selimit për Gërvallën?

Veprimi i deputetes së Vetëvendosjes, Shqipe Selimi –Mehmeti e cila në të mërkurën nuk e votoi Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, sipas politologut Avdi Smajljaj tregon një çarje brenda grupit parlamentar të VV-së pjesë e të cilit është edhe partia Guxo.

Selimi në arsyetimin për mosvotim të Gërvallës ka përmendur një deklaratë të dhënë nga ministrja aktuale në detyrë e Punëve të Jashtme, për Rexhep Selimin.Por, Smajljaj ka thënë se veprimi i Shqipe Selimit nuk duket parimor, pasi ajo ka votuar Qeverinë Kurti2, ku Gërvalla kishte pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme.

“Tregon një çarje brenda vet Vetëvendosjes, megjithatë znj. Selimi ka qenë njëra prej votuesve të kabinetit qeveritar kur znj.Gërvalla ka marrë pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme pas deklaratave të bëra. Në këtë moment nuk duket tërësisht parimore ose selektive në kuptimin e reagimit ndaj deklaratave të tilla. Ndoshta do duhej partia ta menaxhonte sepse kjo tregon se ka një lloj polarizimi, çarje brenda vet grupit”, ka vlerësuar ai në Tëvë1.

E për njohësin e çështjeve politike, Selam Shkodra, veprimi i Selimi ka qenë i pritshëm.

Por ai ka shprehur habinë se si Selimi e Gërvalla nuk e kanë sqaruar këtë gjë pas kaq vitesh në bashkëqeverisje.

Si nuk ka arritën me sqaru këtë  znj, Gërvalla me znj. Shqipe Selimi – Mehmeti për kaq vite bashkë dhe e dyta, si subjekti politik s’ka arritur me menaxhua situatën politike, së paku më i thënë znj. Selimi të mos jesh prezentë në sallë se kanë ditë që s’kalon”, ka thënë ai.