Për sa miliona euro luan Drita ndaj Differdanges në play-offin e Ligës së Konferencës
Kampionia aktuale e Kosovës, Drita, po përgatitet për dy ndeshje vendimtare që mund ta çojnë në Ligën e Konferencës, garën e tretë më të rëndësishme të UEFA-s. Një kualifikim i tillë do të ishte historik për klubin, duke sjellë përfitime jo vetëm sportive, por edhe financiare.
Në rrugën drejt fazës së grupeve, Drita do të përballet me Differdangen. Ndeshja e parë luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:00, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet një javë më vonë në Luksemburg.
Suksesi në këtë duel do t’i sjellë klubit gjilanas një fitim të garantuar prej 3.17 milionë eurosh. Në fazën e ligës, çdo fitore do të vlente 400 mijë euro, ndërsa një barazim do të sillte 133 mijë euro shtesë.
Differdange nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka treguar formë të mirë kohët e fundit. Në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar katër fitore dhe një humbje, duke treguar se është një kundërshtar serioz.
Nga ana tjetër, Drita po kalon një periudhë të vështirë rezultatesh. Klubi ka pësuar pesë humbje rresht, përfshirë disfatën e xhiros së parë të Superligës ndaj Ferizajt dhe dy humbje nga kampioni rumun, FCSB, si dhe nga kampioni danez, Copenhagen.
Megjithatë, sfida ndaj Differdangen mbetet një mundësi për rikthim dhe për të siguruar një hap historik drejt Evropës, duke rikthyer optimizmin te tifozët dhe ekipit gjilanas.