Majlajzia kërcënon me burgosje burrat myslimanë që nuk falin namazin e së premtes
Shteti malajzian i Terengganusë ka kërcënuar se do të burgosë deri në dy vjet burrat që nuk falin namazin e xhumasë pa një arsye të vlefshme.
Sipas ligjit të sheriatit në provincën malajziane, shkelësit e parë të ligjit mund të burgosen deri në dy vjet dhe të gjobiten me 3,000 ringit (600 dollarë), ose të dyja, sipas rregullave të reja që hynë në fuqi këtë javë.
Rregullat e reja u njoftuan nga Partia Islamike Pan-Malajziane (PAS) në pushtet të hënën. Më parë, ata që nuk falnin tre namaze të xhumasë radhazi, përballeshin me një maksimum prej gjashtë muajsh burg ose një gjobë deri në 1,000 ringit (200 euro).
Besimtarëve do t’u kujtoheshin rregullat nga tabelat e xhamive, ndërsa zbatimi i tyre do të mbështetej në raportet nga publiku dhe patrullat fetare në operacione të përbashkëta me Departamentin e Çështjeve Islamike të Terengganusë.
Kritikët i kanë përshkruar masat si “tronditëse”, shkruan The Guardian.
“Ligje të tilla i japin Islamit një emër të keq”, tha Phil Robertson, drejtor i Avokatëve të të Drejtave të Njeriut dhe Punës në Azi (AHRLA), transmeton Telegrafi.
“Liria e fesë dhe e besimit do të thotë gjithashtu liri për të mos besuar ose për të mos marrë pjesë, kështu që autoritetet e Terengganut po abuzojnë hapur të drejtat e njeriut me këtë ligj drakonian”, tha ai, duke shtuar se kryeministri Anwar Ibrahim duhet të revokojë dënimet.
Anëtari i asamblesë legjislative të shtetit Terengganu, Muhammad Khalil Abdul Hadi, i tha të përditshmes lokale Berita Harian se dënimet do të vendosen vetëm si mjet i fundit.
“Kjo kujtesë është e rëndësishme sepse lutjet e së premtes nuk janë vetëm një simbol fetar, por edhe një shprehje e bindjes midis myslimanëve”, tha ai.
Legjislacioni u miratua për herë të parë në vitin 2001 dhe u ndryshua në vitin 2016, për të përfshirë dënime më të rënda për vepra penale të tilla si mosrespektimi i Ramazanit dhe ngacmimi i grave në publik.
Malajzia me shumicë myslimane ka një sistem ligjor me dy drejtime, në të cilin Islami është feja zyrtare, por vepron së bashku me ligjin civil.
Gjykatat e Sheriatit kanë autoritet mbi çështjet personale dhe familjare për myslimanët, të cilët përbëjnë rreth dy të tretat e popullsisë së vendit prej 34 milionë banorësh.
Zhvillimet e fundit në Terengganu nxjerrin në pah luftën e vazhdueshme midis sundimit fetar dhe lirisë civile.
Partia Islamike Pan-Malajziane (PAS), e cila qeveris Terengganun, është përpjekur të shtrëngojë zbatimin e ligjeve fetare në katër nga 13 shtetet malajziane që kontrollon.
Partia mban të gjitha 32 vendet në asamblenë legjislative të Terengganut, duke mos lënë asnjë opozitë.
Në vitin 2021, shteti fqinj i Kelantanit u përpoq të zgjeronte ligjin penal të sheriatit për të përfshirë vepra të tilla si sodomia, incesti, bixhozi, ngacmimi seksual dhe përdhosja e vendeve të kultit.
Gjykata federale e Malajzisë i rrëzoi ligjet në vitin 2024, duke i shpallur ato jokushtetuese, në një vendim që shkaktoi protesta masive nga mbështetësit e PAS, të cilët bënë thirrje për mbrojtjen e ligjeve të sheriatit.