Murati akuzon PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe se janë bërë bashkë për ta bllokuar Kuvendin
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka akuzuar partitë e ish-opozitës për bllokim të Kuvendit, pasi as sot nuk u votuan dy kandidatet për kryetare të Kuvendit.
Sipas tij, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe janë bërë bashkë, duke aluduar në një koalicion të fshehtë, transmeton Zeri.info.
“Blloku tjetër janë PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe LS-ja me 56 deputetë, por siç u vërtetua sot, janë 56 deputetë që janë të interesuar ta mbajnë të bllokuar Kuvendin, siç e kemi thënë edhe më herët”.
“Është një koalicion që po funksionon në mënyrë perfekte”, tha Murati, transmeton Zeri.info.
Ai përmendi faktin që edhe sot pas ndryshimit të kandidates, paritë e tjera nuk e votuan edhe pse këtë e kanë kërkuar prej kohësh.
“Sot e patë që përkundër faktit që u ndryshua kandidati, e cila mori të njëjtin numër të votave, pra është situatë identike pavarësisht kandidatit, pra kjo është dëshmi që kemi të bëjmë me taktika bllokuese, sepse qëllimi i tyre që është ta kthejnë një qeveri si në vitin 2019 me Listën Serbe”, tha Murati para mediave. /Zëri