Haradinaj: S’ka ndryshuar qëllimi i Kurtit - ta mbajë peng Kosovën
Lideri i AAK-së Ramush Haradiniaj para seancës së Kuvendit tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa pika.
“Do të kthehemi në Parlament pas vendimit të Gjykatës, tashmë dihet është sqaru se duhet të jetë votim i hapur dhe njëkohësisht është sqaru se një kandidat që nuk merr votën s’mund të kandidojë mbi tri herë, po ashtu është edhe afati 30-ditor edhe njëherë”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se nuk kanë votë për Albulena Haxhiun, por kanë votë për ndonjë kandidat tjetër nga LVV-ja, i cili sipas Haradinajt është unifikues.
“Nëse sot do të ishte Konjufca ose Saranda, ose Shqipe Hetemi, do të votonim”, tha Haradinaj.
Kur u pyet se nëse nuk do të arrihet të konstituohet Kuvendi as pas 30 ditësh, ai tha se do të vërtetohet qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshu, është me vazhdu me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën, pra në mënyrë jo të ligjshme, me mbajt peng Kosovën”, u shpreh Haradinaj.