Rastet e vetëvrasjeve, apelohet për më shumë kujdes
Çështja e vetëvrasjeve është ngritur si shqetësim, pasi vetëm gjatë këtyre ditëve janë raportuar katër sosh. Arsyet janë të ndryshme, ndërkohë që nga KMDLNJ apelohet për kujdes më të madh të shtetit ndaj pensionistëve, veteranëve e të tjerëve, ndërkaq sociologët e shohin si shqetësim shoqëror.
Vetëm gjatë datës 18 gusht, në Kosovë janë regjistruar tri vetëvrasje. Në Obiliq, Istog e Skenderaj tre burra të moshës së mesme i dhanë fund jetës, këto raste kanë ngritur shqetësim në opinion. Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për RTK, tha se në vitin 2024 janë raportuar gjithsej 19 vetëvrasje, ndërkaq nga periudha janar-korrik 2025 janë regjistruar gjithsej 11.
Për rastet shqetësuese të së martës kanë reaguar edhe "Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut", ku ndër të tjerash thanë se kjo dukuri është në rritje te grupet e margjinalizuara që janë lënë anash nga shteti, si pensionistët dhe veteranët e luftës, kurse një numër më i vogël shkon te biznesmenët që nuk kanë përkrahje apo mbrojtje të ligjit.
Në anën tjetër, nga OJQ “Linja e Jetës” Bind Skeja tha se pranojnë të paktën një thirrje në ditë për ndihmë.
“Nga dhjetori na e kemi shti në funksionin chatin online përveç thirrjeve, dhe prej atëherë numri i personave që na kanë kontaktuar është shumëfishuar, 6 muajt e fundit i kemi pas gati më shumë se 800 thirrje, dhe gati 2000 e disa kërkesa për me na kontaktua”, tha ai.
Skeja shtoi se kërkojnë nga shteti që kjo OJQ të institucionizohet në mënyrë që të formohet një linjë emergjente për këto raste.
Ndërkaq, sociologët rastet e fundit të vetëvrasjeve i shohin si shqetësim shoqëror.
“Vetëvrasjet në 24 orët e fundit nga 4 burra të moshës madhore janë vërtetë shqetësuese. Arsyet mund të jenë stigma të ndryshme shoqërore”, tha Genx Xërxa, sociolog.
Xërxa shton se këto raste duhet të merren si alarm shoqëror./rtk