Nesër seanca e Kuvendit, pa marrëveshje politike vështirë konstituimi
Nesër për në orën 11:00 është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit. Krejt kjo pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, analistët kosovarë vlerësojnë se pa një marrëveshje politike, vështirë se Kuvendi konstituohet.
120 deputetët e legjislaturës së 9-të do të mblidhen nesër paradite për vazhdimin e seancës konstitutive, pas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese që solli rregulla të reja për konstituimin e Kuvendit. E para e shtetit e quajti urgjencë shtetërore konstituimin e organit ligjvënës.
“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, tha Osmani.
Sipas Presidencës, zvarritja e deritanishme e krijimit të institucioneve, ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve dhe zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Edhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, tha se ka ardhur momenti për ta lënë retorikën e “pat pozicionet” në të cilat ndodhën dy taborët politike.
Ndërsa analisti politik, Dorajet Imeri, tha se ky momentum i krijuar që e ka mbajtur peng jetën institucionale të vendit, duhet të përfundoj me një marrëveshje politike.
Vazhdimi i seancës pasi dje nisi rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës, kur organi më i lart juridik i Republikës, publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëroi Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë./rtk