Ministria e Kulturës mirëpret aktakuzën për rrënimin e ish-kompleksit “Sarajet e Vjetra”

Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, tha se MKRS-ja përshëndet ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj dy zyrtarëve të Komunës për lejimin e rrënimit të ish-kompleksit “Sarajet e Vjetra”.

Ai tha se dëmi material për restaurimin e objektit kap shifrën e 15 milionë eurove, ndërsa humbja e vlerës origjinale është e pakthyeshme.

“Sikurse është njoftuar opinioni publik, dje, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave në cilësinë e zyrtarëve publik të Komunës së Prizrenit për shkak të lejimit të rrënimit të objekteve me status ligjor të mbrojtjes së përhershme, si asete të trashëgimisë kulturore arkitekturore, gjegjësisht, rrënimi i ish-kompleksit Sarajet e Vjetra në Prizren. MKRS Si institucion publik me mandat për të siguruar ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe dokumentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, gjegjësisht për të zbatuar legjislacionin dhe politikat publike në fushën e trashëgimisë kulturore, është e angazhuar tërësisht që të zbatojë masa të konservimit dhe restaurimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin dhe për këtë qëllim shpenzon dhjetëra miliona euro në baza vjetore për të arritur këtë qëllim të ligjshëm publik. Vite me radhë, institucionet kompetente profesionale të trashëgimisë kulturore janë ballafaquar me raste të shumta të dëmtimit të qëllimshëm, shkatërrimit apo tjetërsimit të objekteve që gëzojnë status ligjor të mbrojtjes, të cilat dëme janë bërë në emër të përfitimit privat por duke shpërfillur kufizimet ligjore që ekzistojnë mbi këto objekte e hapësira sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Trashëgimi Kulturore, Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura etj. Përtej të gjithave, trashëgimia kulturore nën mbrojtje apo në proces të përfshirjes nën mbrojtje, duke qenë thesar e vlerë kolektive e popullit dhe shoqërisë kosovare, mbrohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht me Nenin 354 dhe 355 të Kodit Penal. Vite me radhë, përtej qartësisë së plotë të bazës ligjore, përmes mosveprimit ose përmes sanksioneve ligjore jo adekuate në raport me peshën e dëmeve, janë inkurajuar dëmtime e shkatërrime të thesarit tonë kulturor e historik, në shërbim të interesave private. MKRS, përtej programit masiv të konservimit dhe restaurimit që po e zbaton aktualisht, vitet e fundit është angazhuar shumë që përmes instrumentit të funksioneve ekzekutive e administrative të institucioneve të saj, me theks të veçantë të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, ka rritur ndjeshëm aktivitetin në drejtim të parandalimit të dukurive të kundërligjshme të shkatërrimit dhe humbjes së të mirave kulturore e historike që mbrohen me Kushtetutë dhe me ligj”, deklaroi Bislimi.

Ai rikujtoi se MKRS-ja, përmes programeve të konservimit, inspektimeve dhe bashkëpunimit me policinë e prokurorinë, është e përkushtuar të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe të ndëshkojë çdo veprim të kundërligjshëm që cenon asetet me mbrojtje ligjore.

“Krahas programit për konservim dhe restaurim masiv dhe masave inspektuese, MKRS-ja ka ndërmarrë iniciativa të bashkëpunimit e koordinimit ndërinstitucional me Policinë e Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe me Këshillin Gjyqësor me qëllim që diversifikimi i masave të autoriteteve shtetërore të dekurajimit të shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, të përfshijë, gjithnjë sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, edhe procedurat efektive penale që janë të parashikuara dhe kështu të konsolidojmë një strukturë institucionale plotësisht të aftë që ruan dhe mbron thesarin kulturor e historik e po ashtu garanton që veprimet e inkriminuara penalisht të mos kalojnë pa marrë dënimin e merituar. Në këtë drejtim e pa paragjykuar rezultatet e procedurës penale, e përshëndesim aktivizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, ku kemi pasur humbje të një prej komplekseve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, me ç’rast dëmi material për rekonstruim do të shkonte afër 15 milionë euro në dëm të buxhetit që ndahet nga Kuvendi i Kosovës për qëllim të restaurimit dhe konservimit, ndërkohë që dëmi mbi vlerat origjinale e autentike mbi këtë kompleks nën mbrojtje të përhershme është i pamaturshëm sepse është i pakthyeshëm. MKRS rikujton edhe me këtë rast përmes jush se koordinimi ndërmjet MKRS-së, policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, do të thellohet edhe më tej dhe se çdo rast ku konstatohen veprime të paligjshme në asete apo zona mbrojtëse, do të procedohen penalisht, qoftë kjo për zyrtarët publik të nivelit qendror apo lokal, qoftë për palët tjera që përfshihen në shkatërrimin apo humbjen e vlerave që mbrohen me Kushtetutë dhe me ligj. Për shkak se vërejmë një angazhim negativ gjithnjë në rritje të zyrtarëve të pushtetit lokal që shkon në drejtim të cenimit të ligjit për trashëgimi kulturore dhe në favor të interesave të paligjshme private apo grupore, i ftojmë ata që të heqin dorë nga kjo praktikë, të koordinohen maksimalisht me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe të sigurojmë zbatimin e legjislacionit sektorial në këtë fushë të interesit publik, siç obligohemi të gjithë ne që ushtrojmë autoritet publik”, shtoi ai. /Eo