Vjosa Çerkini zë i Kosovës në media botërore, nga gazetaria te dokumentarët e historive të heshtura
Vjosa Çerkini është një prej zërave më të spikatur të gazetarisë kosovare në arenën ndërkombëtare. Karrierën e saj e ka ndërtuar në Gjermani, duke punuar për mediat më prestigjioze si ARD dhe tash e shtatë vite për "Deutsche Welle", ku mbulon politika, shoqëri e dokumentarë sportivë, por edhe duke realizuar dokumentarë që janë vlerësuar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, e së fundi edhe pjesë e dokumentarit "Palace of Youth", ku producente është Rita Ora.
Përveç gazetarisë, aktiviteti i saj përfshin një gamë të gjerë angazhimesh si në filmbërje, në organizata për fuqizimin e grave, si dhe ka fituar çmime për kontributin në ndërtimin e marrëdhënieve mes komuniteteve.
Në një intervistë për KultPlus, ajo ka rrëfyer rrugëtimin e saj profesional, sfidat, sukseset, por edhe misionin që gazetaria ka për të ndërtuar ura mes njerëzve.
Ajo nisi rrëfimin e saj teksa tregoi fillet e saj në gazetari, duke përmendur se ky profesion ka qenë qysh herët pjesë e jetës së saj.
“Gazetaria ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime, qysh nga momenti kur kuptova se historitë e njerëzve kanë nevojë të tregohen ashtu siç janë. Fillimisht nisi si një kureshtje personale për të kuptuar realitetin përreth meje, duke pasur një pasion të madh për të zbuluar të vërtetën dhe për ta transmetuar atë tek publiku. Me kohë, kjo kureshtje u kthye në një profesion dhe një mision personal”, theksoi Çerkini.
Por kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë. Vjosa tregon se sfidat kanë qenë të shumta, sidomos në fillimet e saj në Gjermani, nga ku shkoi pas studimeve në fakultetin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
“Karrierën e kam filluar direkt në Gjermani për ARD, televizionin më të madh publik gjerman dhe, duke ardhur nga një vend i varfër si Kosova, çdo aspekt ka qenë sfidues si në aspektin financiar, si në atë profesional. Të bësh gazetari në nivel ndërkombëtar që në fillim të 20-tave të mia ka qenë sfiduese dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme”, thotë ajo teksa shton më tutje se kërcënimet me vrasje, presionet politike dhe sociale, deri te vështirësitë për të fituar besimin e burimeve të informacionit janë të gjitha sfida të punës së saj të përditshme.
Qëndrueshmëria e saj e bëri pjesë të Deutsche Welle, ku tash e shtatë vite mbulon një gamë të gjerë temash.
“Në Deutsche Welle, unë mbuloj pothuajse çdo fushë – nga politika ditore për DW News, e deri te dokumentarët sportiv për DW Sports që kanë marrë vëmendje ndërkombëtare,” tregon Çerkini. “Çelësi ishte kombinimi i profesionalizmit, pasionit për të treguar historitë e papërfaqësuara dhe një qasje etike ndaj çdo teme që trajtohet”, shtoi ajo mes tjerash.
Puna e saj në filmbërje ka sjellë gjithashtu vlerësime të rëndësishme. Dokumentari ‘Working today, only for tomorrow’, që trajton diskriminimin e grave të moshës së mesme në tregun e punës në Kosovë, u vlerësua si dokumentari më i mirë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
”Ky dokumentar ishte një punë që kërkonte shumë dedikim dhe pasion, duke sjellë në pah realitetin e diskriminimit të grave të moshës së mesme në tregun e punës në Kosovë. Çmimi ishte një njohje e madhe e përpjekjeve tona për të treguar histori që shpesh mbeten të padëgjuara. Ai është i veçantë sepse kombinoi gazetarinë investiguese me filmbërjen, duke i dhënë publikut një pasqyrë reale dhe të ndjerë të jetës së njerëzve që preken nga kjo temë. Të mos harrojmë që ky dokumentar i realizuar së bashku me Kosovo 2.0 ka qenë dokumentari i parë gazetaresk nga Kosova që është nominuar në festivale në Amerikë për dokumentarin më të mirë në botë në kategorinë e dokumentarëve të shkurtër për vitin 2022”, tha Vjosa duke theksuar se është ndjerë shumë e lumtur për këtë çmim marrë parasysh moshën e re që kishte, megjithse erdhi në një kohë shumë të vështirë fizike për të pas një aksidenti që kishte kaluar, megjithatë rezultatet në fund arritën përmasat globale.
Në vitin 2023, emri i Vjosa Çerkinit u bë pjesë e listës evropiane të gazetarisë investigative, kur investigimi mbi mashtrimet në qendrat telefonike u rendit ndër ‘10 më të mirët në Evropë’. Ajo thotë për KultPlus se ky hulumtim ka qenë sa sfidues aq edhe stresues.
“Ishte një ndjesi shumë e veçantë dhe motivuese. Tregon se puna e bërë me përkushtim dhe integritet ka ndikim dhe mund të sjellë ndryshime në shoqëri. Ky sukses më nxiti të vazhdoj me investigime të tjera, duke synuar transparencë dhe drejtësi”, thekesoi Vjosa.
Përveç hetimeve të rënda mbi krime dhe korrupsion, Vjosa ndan edhe gëzimin kur raporton për histori pozitive. Një ndër projektet që e mban më përzemër është dokumentari ‘Boxing with politics’, i prodhuar për DW Sports në Berlin.
“Kam bërë shumë hulumtime deri tani në nivel evropian për krime të shumta. Por, unë gëzohem edhe kur raportoj për tema pozitive. Ndoshta projekti më i përzemërt është dokumentari “Boxing with politics” të prodhuar për DW Sports në Berlin që tregon për sfidat e sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në garat botërore në vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet i pavarur”, ndan Çerkini.
Raportimi i saj transparent e objektiv për situatën mes komuniteteve shqiptarë e saj në Kosovë, ndër media ndërkombëtare ka bërë që ajo të shpallet “Kampione e medias për vitin 2025 për ndërtimin e mirëbesimit midis shqiptarëve dhe serbëve”, çmim i ndarë nga Union Nation Organisation. E ky çmim, Çerkini thotë se vjen me një nder dhe përgjegjësi të madhe.
“Ky çmim më tregoi që puna ime ka ndikim real dhe se gazetaria mund të jetë një mjet për ndërtimin e urave midis komuniteteve që historikisht kanë pasur tensione. Të kontribuosh në këto marrëdhënie do të thotë të punosh për të treguar të vërtetën dhe për të shfaqur njerëzimin përtej politikave dhe paragjykimeve”, thotë ajo duke shtuar mes tjerash se media ka një ndikim të madh, sepse ajo mund të edukojë, të ndërgjegjësojë dhe të frymëzojë dialog, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit e perceptojnë njëri-tjetrin.
Kjo filozofi është pjesë e saj edhe në angazhimin ndërkombëtar. Ajo është tani përfaqësuese e ‘Women Voices Now’ për Evropë, një organizatë e cila synon mbrojtjen dhe fuqizimin e grave nëpërmjet filmit. Ajo nëpërmjet kësaj interviste shpjegon se si u bë pjesë e kësaj organizate dhe cili është çmimi i saj.
“Ata kanë përcjellë punën timë si gazetare ndër vite, pastaj më ofruan këtë mundësi dhe tani punojmë globalisht në fuqizimin e vajzave dhe grave në Afrikë, në Evropë, në Amerikë dhe më gjerë. U bëra pjesë e “Women Voices Now” sepse besoj fuqimisht në rëndësinë e zërit të grave dhe vajzave që shpesh mbeten të heshtura. Të jesh përfaqësuese në Evropë do të thotë të ndihmosh për të krijuar mundësi, të mbështesësh projektet e grave e vajzave dhe të ndërtosh rrjete ndërkombëtare për të fuqizuar gratë në media dhe filmbërje”, thotë Çerkini.
“Në Evropë, unë organizoj workshops për filmbërje dhe video-gazetari, u ofroj vajzave mentorim një vjeçar ku po ashtu prodhojmë edhe filmat e tyre të parë dokumentarë falas, ndihmoj në publikime dhe krijoj platforma ku gratë dhe vajzat mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ndajnë historitë e tyre me audiencë ndërkombëtare. Aktualisht mentoroj katër vajza brilante si 12 vjecarja nga Nigeria, Hauwa Jalilah Joda, Lea Hoxhaj nga Kosova, Zosia Maruszeëska dhe Zofia Buczek nga Polonia. Të katërtat i kam mentoruar që nga tetori i vitit të kaluar dhe do të prodhojmë katër filma dokumentarë në vendet e tyre. Kurse, ne tetor fillojmë tutje me vajza të tjera nga shtete dhe kontinente të tjera. Kemi marrë pjesë në festivalet më prestigjoze të filmit si Berlinale, Cannes dhe do të jem në nëntor në American Film Market në Los Angeles. Ka shumë plane së shpejti do të jem në Ukrainë, Izrael”, u shpreh ajo duke folur për angazhimin e saj në këtë organizatë.
Megjithatë, veprimtaria multidimensionale e Vjosa Çerkinit nuk mbaron këtu. Ajo së fundi është ftuar që të japë zërin e saj edhe në produksione të mëdha filmike. Në dokumentarin ‘Palace of Youth’, me producente, këngëtaren shqiptare me famë botërore Rita Ora, ajo intepreton segmentin e parë të filmit.
“U ftova për të dhënë zërin dhe interpretimin e segmentit të parë, që hap dokumentarin dhe sjell kontekstin historik dhe shoqëror për temën. Pra, ftesa ka ardhur nga regjisorja amerikane Maddie Gwinn për të lexuar lajmet kur NATO ka ndërhyrë në Kosovë dhe filmi nis me zërin tim si reportere”, tha Çerkini.
Në fund, ajo dha edhe një mesazh për gazetarët e rinj, për ata që duan ta transmetojnë të vërtetat për temat komplekse dhe shpesh të ndara ideologjikisht.
“Gjeneratave të reja të gazetarisë u them që të jenë gjithmonë të guximshëm, të ndjekin etikat profesionale dhe të mos frikësohen të tregojnë të vërtetën. Duhet të mësojnë të dëgjojnë dhe të kuptojnë perspektiva të ndryshme, por gjithmonë të qëndrojnë të palëkundur në kërkimin e fakteve dhe drejtësisë. Kur e bëjnë këtë, gazetaria bëhet një mjet i fuqishëm për ndryshim shoqëror”, përfundoi Çerkini.