Qytetarët: Me këto inate s’mund të formohet qeveria, populli po pëson

Qytetarët i shfaqin zëshëm pakënaqësinë e tyre, për shkak të zvarritjes së deritashme të krijimit të institucioneve të Kosovës.

Disa prej tyre, me të cilët bisedoi Ekonomia Online, janë skeptikë se shpejt do të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria, edhe pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Qytetari, Reshat Saliu tha partitë po i çojnë inatet e tyre, ndërsa populli po pëson.

“I çojnë inatet e veta, populli po pëson. Me këto inate nuk mund të formohet qeveria, ndoshta do të shkojmë prapë në zgjedhje. Nuk besoj që do të arrihet të formohet qeveria, sepse i çojnë inatet e veta e populli po pëson, sepse mosformimi i qeverisë po na kushton shumë. Në shkurt ndodhi ajo që ndodhi, fitoi Vetëvendosja, tani nuk po gjejnë kompromis. Është dashur të formohet herët, jo të zhagitet. Jo që i ka dëmtuar qytetarët, por nuk po na japin ato që na kanë premtuar, ndihmat evropiane e ndërkombëtare. Kjo qeveri duhet të formohet. Duhet të bëhet kompromis. Me këto inate nuk mund ta formojnë. Nëse nuk arrihet, të shkojmë prapë në zgjedhje”, deklaroi Saliu.

Qytetari tjetër, Fahredin Halimi, tha se lutet që sa më shpejt të formohet qeveria, sepse, siç u shpreh, populli mbaroi, nuk ka para.

“Nëse qeveria ishte formuar që në fillim, edhe Evropa do të na ndihmonte. Populli nuk ka më durim, nuk ka as para. Qeveria do të formohet, por kjo qeveri shkoi larg. Jemi dëshpëruar. Dëshpërim i madh për shkak se ka dhënë premtime shumë të mëdha, sidomos për ne pensionistët, por edhe për popull ka thënë se do të jetë jeta më e mirë, më mirë se të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet, por nuk ka bërë asgjë. Bëj lutje sa më shpejt që të formohet qeveria, pa marrë parasysh se cila qeveri. Bëj shumë lutje të mëdha, sepse populli mbaroi, populli nuk ka para”, tha Halimi.

Xheladin Hajdini kritikon politikanët për frymën e urrejtjes. Ai ngre shqetësime për pabarazinë sociale.

“Njeriu me urrejtje është shumë keq. Njeriu është njeri, nuk është ujk, ne jemi bërë më të këqij se ujqit. Si është e mundur që deputeti të ketë pagën 2 mijë e 500 euro plus mëditjet dhe punëtori ose pensionist 120 euro? Edhe ne kemi fëmijë, duhet të jetojmë. Nuk e di si nuk i bren ndërgjegjja të kenë aq rrogë dhe një djalë i ri sot të kërkojë lëmoshë. Krejt zilia i bën ato, sepse duke mos mbërritur ofendon. Të nënçmojnë ikë, e nënçmojmë vetëm veten. Këta udhëheqin me vulgarizma”, tha Hajdini.

Seanca e radhës konstituive është caktuar për të mërkurën, më 20 gusht, në orën 11:00.

Në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.