Prokuroria kërkon urdhër arresti për Rakiqin, s’u paraqit për intervistim për rastin e barrikadave në veri
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të lëshojë urdhër arresti për Rakiqin.
Në një konfirmim për “Zërin”, Prokuroria tha se Rakiqi nuk është paraqitur për intervistim, pavarësisht tri ftesave dhe për këtë ka kërkuar arrestimin e tij.
Ai është ftuar të intervistohet për rastet e barrikadave në veri të Kosovës.
“Tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurve S.S., I.S. dhe Z.E., ndërsa sa i përket intervistimit të G.R., i njëjti është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”.
“Andaj, me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R., Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër arrestit ndaj tij”, tha për “Zërin” Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Siç dihet në kuadër të hetimeve që PSRK-ja është duke i zhvilluar në rastin e barrikadave në vitin 2022, për veprat penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, ka kërkuar urdhër arresti edhe ndaj 11 personave të tjerë. /Zëri