Asetet e BQK-së arrijnë vlerën prej 1.86 miliard eurove

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se depozitat në BQK, deri më 31 korrik 2025, ishin 1.58 miliard euro, duke shënuar rritje prej 64.69 milionë eurosh nga periudha paraprake. Prej tyre, 636.33 milionë euro janë nga buxheti i Republikës së Kosovës, 616.99 milionë euro nga bankat komerciale, 186.95 milionë euro nga AKP-ja dhe 135.64 milionë euro nga burimet e tjera.

"Asetet e BQK-së – në fund të muajit korrik 2025, arritën vlerën prej 1.86 miliard euro, duke shënuar rritje prej 68.71 milionë euro krahasuar me muajin qershor 2025. Kjo rritje ishte kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave të Buxhetit të Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fondeve pensionale dhe Fondi për Sigurimin e Depozitave", njofton BQK-ja.

Sipas raportit, nga gjithsej asetet vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 31 korrik 2025 ishte 1.39 miliard euro.

"Krahasuar me muajin paraprak investimet e BQK-së jashtë vendit në formë të depozitave dhe letrave me vlerë janë rritur për 70.64 milionë euro, prej të cilave investimet në depozita janë rritur 101.39 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 30.76 milionë euro", njofton BQK-ja.

BQK-ja njofton se kapitali i BQK-së deri më 31 korrik 2025 ishte 118.77 milionë euro.

"Asetet e Rezervës ndërkombëtare në fund të muajit korrik shënuan vlerën 1.46 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 50.4 milionë eurosh, krahasuar me muajin paraprak. Kjo ka ardhur kryesisht nga rritja e depozitave për 77.4 milionë euro dhe zvogëlimi i investimeve në letra me vlerë për 28.6 milionë euro", njofton BQK-ja.