Arrestohet zyrtari i Agjencisë Pyjore për dallavere e ryshfet gjatë rregullimit të dokumentacionit për marrjen me qira të pronave
Një zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Zeri.info.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, i njëjti është zbuluar përmes hetimeve se, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:
Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) – Njësiti në Prizren, më datë 18.08.2025 ka arrestuar të pandehurin I.O., zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme. Nga hetimet dhe provat e grumbulluara është zbuluar se i dyshuari, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Aktualisht, i dyshuari ndodhet në ndalim 48 orësh, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Brenda ditës së sotme Prokuroria do të parashtrojë në Gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson se ky rast është shembull i qartë i efektivitetit të masave të veçanta hetimore dhe i vendosmërisë sonë në goditjen e korrupsionit. Prokuroria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të çdo individi që abuzon me funksionin publik dhe bie ndesh me ligjin. /Zëri