OEK-u dorëzon padi kundër ZRRE-së në Gjykatën Supreme

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për detyrimin e bizneseve që të dalin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.

OEK-u, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar dokumentin e padisë, raporton Zeri.info.

Kjo kërkesëpadi, sipas njoftimit të OEK-ut, thuhet se është ushtruar me qëllim të mbrojtjes së bizneseve, ekonomisë së Kosovës dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës si konsumatorë të fundit, kundër vendimit të padrejtë të ZRRE-së.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar me shqetësim të madh ndaj situatës së krijuar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ndërprerjen e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të jashtëligjshëm dhe të dëmshëm për bizneset, ekonominë dhe qytetarët e vendit.