Trumpi konfirmon takimin “ballë për ballë” ndërmjet Putinit dhe Zelenskyt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka zhvilluar një “takim shumë të mirë” me liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, takim që vazhdoi më pas edhe në Zyrën Ovale.

“Gjatë takimit diskutuam për garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofrohen nga vendet evropiane në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Të gjithë janë shumë të kënaqur për mundësinë e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Ai shtoi se në përfundim të takimeve ka telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka nisur përgatitjet për një takim mes tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një lokacion ende të pacaktuar.

“Pas atij takimi do të mbahet një takim trilateral, ku do të marrin pjesë dy presidentët dhe unë”, tha Trump, duke shtuar se zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff po koordinojnë me Rusinë dhe Ukrainën.

“Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që po vazhdon pothuajse katër vjet”, theksoi presidenti amerikan.

Kremlini ka konfirmuar se Trump dhe Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike gjatë vizitës së Volodymyr Zelenskyt dhe liderëve evropianë në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas ndihmësit të Putinit, Yuri Ushakov, biseda ka zgjatur 40 minuta dhe ishte “e hapur” dhe “mjaft konstruktive”.

Ai shtoi se dy presidentët kanë diskutuar “idenë për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së nivelit të përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit në bisedime”. /Rel